6 persona të armatosur dhe të maskuar grabitën mesditën e kësaj të enjteje dy makina që transportonin shuma të mëdha parash, të një banke të nivelit të dytë.

Sulmi ndaj dy mjeteve të bankës ndodhi në segmentin Qafë Kashar – Rinas. Momenti i grabitjes u filmua nga një kamera amatore, ku siç shihet nga kjo video e sjellë në

tvklan.al,

grabitësit marrin të paktën 8 thasë me para.

Fillimisht ata përplasën këtë furgon të shoqërimit të parave me një fuoristradë, ndërsa shpuan edhe gomat e tij. Me një send të fortë thyen xhamat, zbritën me forcë punonjësit e policisë private, duke i shtrirë në tokë.

Siç duket edhe në këtë skemë grafike, në të njëjtën kohë një tjetër automjet sulmoi makinën e shoqëruese, duke neutralizuar punonjësit e shoqërisë private

Jaguar,

të cilët ndodheshin në të.

Për të hapur makinën, agresorët nuk nguruan të qëllojnë drejt mjeteve të blinduara. Sipas policisë, ngjarja u zhvillua prej orës 13:10 deri në 13:24, në sytë e mjaft kureshtarëve udhëtarë, në rrugën nacionale Tiranë – Rinas.

Disa prej autorëve mbanin rojet nën vëzhgim, ndërsa të tjerët hapën veturën e konsideruar të blinduar, por që rezultoi të mos ishte e tillë.

Siç shihet edhe nga këto foto, makina është çarë me një motosharrë, ndërsa me pajisje salduese me oksigjen autorët hapën kasafortën e parave.

Prej tyre morën 8 thasë me para, ku dyshohet se ndodheshin rreth 2 milionë euro. Në asnjë nga thasët nuk kishte GPS, pasi ai ishte futur në një thes të boshatisur, poshtë sediljes së shoferit. Edhe kamerat shoqëruese të mjetit, nuk kanë funksionuar.

Autorët u larguan në drejtim të Qafë – Kasharit dhe më pas në fshatin Gjeç – Fushë dogjën dy automjetet “Nissan” dhe “Jeep”, siç shihen edhe në këto foto të siguruara nga Televizioni Klan.

Policia organizoi një operacion të gjerë të ndjekjes, të shoqëruar edhe me një helikopter, por pa mundur të gjejë autorët. Policia njoftoi arrestimin e 5 punonjësve të policisë private, deri në sqarimin e rrethanave./ TV KLAN

https://www.youtube.com//embed/j8d8UDsojOs