Dy persona të armatosur grabitën në mesditë filialin e një banke të nivelit të dytë, në qendër të qytetit të Vlorës.

Ka qenë ora 13 e 56 minuta, kur dy autorët të maskuar dhe të armatosur me pistoleta, kanë neutralizuar më parë policin e vetëm privat që ndodhej në hyrje të bankës dhe më pas janë futur në ambientet e brendshme.

Nën kërcënimin armëve kanë terrorizuar punonjësit, duke u kërkuar xhiron ditore. Në pak minuta, dy grabitësit arritën të marrin 2 thasë me para, sasia e të cilave nuk dihet ende.

Pasi dolën nga banka, autorët e futën në rrugicat pas xhamisë së Muradies, për të humbur gjurmët.

Nga dëshmitë e para të marra nga uniformat blu, bëhet e ditur se të dy personat ishin me fizik të bëshëm. Ata mbanin të veshur rroba me kamuflazh dhe kapele me strehë.

Policia thotë se ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit dhe se ka angazhuar dhjetra forca për kapjen e autorëve. Janë sekuestruar ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë së bankës, si dhe të disa bizneseve përreth vendit ku ndodhi grabitja.

Grabitja e kësaj banke vjen pak ditë pasi Policia e Shteti kërkoi masa shtesë ndaj policive private, në shoqërimin e vlerave monetare.

Tv Klan