Policia e Tiranës ka arrestuar 5 punonjësit e policisë private, të cilët transportonin paratë e bankës së nivelit të dytë, të grabitura këtë të enjte në rrugën mes Qafë Kasharit dhe Rinasit.

Ata janë Xhelil Metaj , 43 – vjeç, Gentian Dedja, 31 – vjeç, Përparim Logu, 39 – vjeç, të tre punonjës të SHPSF, si dhe Endrit Daçi, 31 – vjeç e Dashamir Balla, 42 – vjeç, të cilët ishin shoferë të shoqërisë.

Ata po transportonin me dy mjete të blinduara paratë e bankës. Më herët punonjësit u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u morën në pyetje nga blutë e kryeqytetit.

Dy fuoristrada goditën dy mjetet e blinduara të policisë private dhe neutralizuan policët privatë duke marrë të paktën 7 thasë me para.

Gjithçka zgjati rreth 2 minuta dhe më pas ata u larguan me shpejtësi në drejtim të Rinasit. Makinat e përdorura në grabitje u gjetën të djegura disa minuta më pas nga policia./tvklan.al