Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, pas grabitjes së ndodhur në pistën e avionëve në Rinas, ka urdhëruar nisjen e hetimeve për drejtuesit dhe zyrtarët e policisë, të cilët i konsideron përgjegjës për zbatimin e masave të shtuara të sigurisë, marrë në këtë aeroport, pas sulmeve terroriste të ndodhura në Stamboll.

Për organin qendror të akuzës, këto masa rezultuan të jenë joefikase, pas thyerjes së sigurisë së aeroportit nga tre persona të armatosur. Për më tepër, ata arritën të vidhnin një shumë të konsiderueshme parash.

Hetimi vjen paralelisht me atë që po kryen Prokuroria e Krujës për grabitjen. Gjatë paradites të së premtes janë marrë në pyetje policët privatë, të cilët shoqëronin paratë. Ata mësohet të kenë sqaruar se nuk kanë patur mundësi të reagojnë, pasi kanë qenë të paarmatosur, pasi nuk u lejohet të mbajnë armë në pistë.

Në momentin e grabitjes në pistë kanë qënë dy makina të blinduara, të cilat transportonin paratë e dy bankave të ndryshme. Burime konfidenciale bëjnë me dije se makina e kompanisë “Nazeri 2000”, i ka patur dyert e hapura dhe mbi të ka qenë vetëm shoferi.

Për hetuesit është tepër i dyshimtë ky moment dhe për këtë po kalojnë në sitë veprimet e të gjithë punonjësve të policisë private. Ndërsa mjeti tjetër, që transportonte rreth 1,8 milionë euro ka qënë i mbyllur, duke shmangur grabitjen e tij. Grabitësit kanë marrë dy thasë me kartëmonedha dhe kanë lënë dy thasë të tjerë me monedha, në vlerë 20 mijë euro.

Tv Klan