Grabitesit e NBG BankTre personat e akuzuar si grabitës të bankës në “Rrugën e Kavajës” në kryeqytet, do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimeve. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristi Kajo, Rei Cenollin dhe Kristi Sulollari, të cilët dyshohet se morën 8.5 milionë lekë të vjetra nga banka.

Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, ata e pranuan akuzën dhe u shprehën të penduar për veprimin, duke kërkuar një masë më të butë. Avokatët thanë se grabitja nuk është bërë me armë, por me pistoletë çakmak.

Zbardhja e ngjarjes nga policia u bë për shkak të makinës, me të cilën lëviznin grabitësit. Kristi Sulollari, i cili punonte si kamarier, solli me një makinë tip “Toyota Jaris” dy shokët e tij, vetëm disa metra larg bankës.

Identifikimi i dy grabitësve, Kajo dhe Cenolli, u bë nga ngjashmëritë fizike, ndërkohë që të rinjtë janë regjistruar nga kamerat e disa bizneseve në rrugicat që lidhin “Rrugën e Kavajës” me rrugën “Myslym Shyri”, deri kur hipën në të njëjtin automjet që i solli te banka.

Policia arrestoi Kristi Kajon në shtëpinë e gjyshërve të tij në Rrugën “Irfan Tomini”, Rei Cenollit iu vendosën prangat në Voskopojë, në shtëpinë e xhaxhait të tij, ndërsa Kristi Sulollari u arrestua në vendin e tij të punës.

Tre shokëve iu gjet në momentin e arrestimit shuma prej 6.8 milionë lekë të vjetra.

Tv Klan