Më tepër se dy javë pas grabitjes së filialit të një banke të nivelit të dytë, në kryeqytet, nga dy persona të armatosur, ekspertët kriminalistë kanë përfunduar ekzaminimin e armës e cila iu ra autorëve gjatë grabitjes.

Edhe pse hetuesit kishin shpresa të mëdha në analizimin e gjurmëve që mund të gjendeshin në armë, për të identifikua autorët e krimit, rezultati qe negativ.

Ekspertët konfirmuan se në asnjë prej sipërfaqeve të armës, nuk kishte gjurmë, çka ka bërë që oficerët të kërkojnë informacione dhe fakte të reja mbi grabitjen.

Shpresa e hetuesve mbetet tek ekzaminimi balistik, për të faktuar nëse ajo është përdorur në ngjarje të tjera. Ndërkaq hetuesit pritet të ekzaminojnë edhe motoçikletën e braktisur nga autorët e grabitjes ditën e ngjarjes.

Motoçikleta, u gjet në një rrugë dytësore mes lagjeve pranë Gjykatës së Tiranës, një ditë pas grabitjes.

Ndërkaq një ditë më parë, në rrugën e Elbasanit, personat të armatosur dhe të maskuar hynë në një kazino dhe grabitën 200 mijë lekë të reja.

Policia ka shoqëruar afërsisht 10 persona, të cilët pas verifikimeve janë lënë të lirë./ TV KLAN