Besnik Bushi, Artur Isai dhe punonjësi i policisë private Niaz Lena, tre të arrestuarit për bastisjen e Prokurorisë së Durrësit, u lanë në burg nga Gjykata.

Prokurorët nuk kanë asnjë dyshim se Bushi dhe Isai janë dy autorët e dëmtimit të serverit të Prokurorisë dhe vjedhjes së fashikujve të disa dosjeve hetimore. Si provë shkencore hetuesit sollën 13 gjurmë daktiloskopike të tyre të gjetura në zyrën e prokurorit Afrim Shehu dhe të një oficeri të policisë gjyqësore.

Kjo sipas prokurorëve vërteton faktin se Artur Isa dhe Besnik Bushi kanë qenë brenda mjediseve të Prokurorisë mëngjesin e 25 Majit.

54 vjeçari Bushi u tha togave të zeza se natën e ngjarjes ka qenë duke peshuar me të afërm të tij. Ai sqaroi se në Prokurorinë e Durrësit ka qenë para 7 vitesh kur ka  kryer instalimet elektrike në godinë dhe herën e dytë para 4 vitesh kur është dënuar për vjedhje të energjisë elektrike. Edhe  49 vjeçari Isai ka mohuar të ketë  lidhje me grabitjen.

Ai i tha gjykatës se natën e 24 Majit ka qenë në shtëpi me nënën dhe fëmijët. Megjithatë gjykatësja vendosi t’i lërë në burg,  bashkë me punonjësin e ruajtjes së objekteve fizike Niaz Lena, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Tv Klan