Dash Kupa, personi që duket në këtë foto është i arrestuari i gjashtë, i dyshuar si organizator dhe pjesëmarrës në grabitjet e transfertave bankave në Qafë Kashar.

41 vjeçari, banues në Krujë, pjesëtar i fisit Kupa u kap këtë të martë, në pikën e kalimit kufitar në Morinë teksa po hynte ne Shqipëri nga Kosova.

Menjëherë pas ndalimit ai u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga oficerët e policisë dhe të prokurorisë.

I arrestuari Kupa është një nga personat e dyshuar se ka përgatitur dhe realizuar aktivisht planin e grabitjes në të dy rastet. Ky është personi i dytë i fisit Kupa që arrestohet si pjesë e bandës. Në pranga ka rënë më herët edhe Ernest Kupa, me tre anëtarë të tjerë të grupit.

Në kërkim tashmë ka mbetur edhe Admir Murataj, i cili mendohet të jetë larguar jashtë vendit. Burime të Tv Klan thanë se në këtë grup dyshohet se bëjnë pjesë edhe 3 persona të tjerë. Një prej tyre është edhe 28-vjeçari nga Elbasani Klement Çala. Ky ka qenë një prej autorëve të dyshuar të grabitjes së një banke në Larisa të Greqisë në 2013-ën. Ai arriti të arratisej nga burgu i Trikalës së bashku me Admir Muratajn dhe Ermal Litajn. Emri i tij është në listën e të kërkuarve nga Interpol.   

Policia ka kryer kontrolle të shumta në zonën e Dibrës, Tiranës, e Tropojës për arrestimin e të kërkuarit, Murataj, por ai nuk është gjetur.

 

/TV KLAN