Këto janë momentet e mbërritjes në ambientet e policisë së Tiranës të Aleksandër Muratajt 41 vjeç dhe Dritan Sinanit 43 vjeç.  Të dy ata janë të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e 3.2 milionë $ në rrugën Qafë Kashar-Rinas, me 9 shkurt të këtij viti.

Murataj, është vëllai i Admir Muratajt, i dyshuar si autori kryesor i grabitjes së Rinasit. Murataj, u kap mbrëmjen e të martës në një banesë në afërsi të lagjes Qesarakë, ku edhe strehohej.

I dyshuari i dytë, Dritan Sinani, banues në Tiranë, u kap në një lokal në afërsi të rrugës së Elbasanit. Të dy personat kishin pak ditë që ishin marrë në vëzhgim nga agjentët e njësisë operacionale, pas informacioneve të marra mbi vendndodhjen e  tyre.

Pas ndalimit të tyre, policia ka kryer mbi dhjetë kontrolle banesash në Tiranë, dhe Tropojë, me qëllim gjetjen e provave dhe të dhënave të tjera që mund të ndihmonin policinë në gjetjen e shumës së mbetur të parave.

Pavarësisht kësaj, policia nuk ka gjetur të dhëna që ndihmojnë atë në këtë drejtim. Të dy personat janë marrë disa herë në pyetje që prej mbrëmjes së të martës nga policia, por s kanë pranuar të japin detaje apo të bashkëpunojnë me oficerët e krimeve.

Pritet që ata t’i nënshtrohen sërish intervistimit nga policia dhe prokuroria, ndërsa atyre iu është komunikuar akuza e vjedhjes me armë në bashkëpunim të bankave dhe arkave të kursimit.

Policia sakaq po vijon kërkimet për arrestimin e Admir Muratajt, i cilësuar edhe si kapoja e bandës së grabitjes së bankave./ TV KLAN