Ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të mërkurë në Gjirokastër mund të kishte pasur pasoja edhe më tragjike.

Tvklan.al

ka mësuar detaje të reja për vrasjen e dyfishtë, të çiftit Afërdita dhe Aleko Kosta, të cilët u ekzekutuan me armë nga fqinji i tyre Apostol Kosta, njëkohësisht kushëri me 61 – vjeçarin Aleko.

70 – vjeçari mësohet se fillimisht kishte tentuar t’i vriste ata me granata, duke i hedhur në banesën e çiftit.

Por pasi granatat nuk shpërthyen, i moshuari nuk u dorëzua dhe i qëlloi ata për vdekje me kallash.

E gjithë kjo ngjarje ndodhi në kohën kur në banesë ndodhej edhe djali 19 – vjeçar i Afërdita Kostës, të cilin 49 – vjeçarja e kishte nga martesa e mëparshme

Vrasja e dyfishtë erdhi pas një konflikti mes palëve për një mur ndarës të shtëpive. Çështja në fjalë kishte shkuar në gjykatë dhe kjo e fundit kishte vendosur që muri i përkiste viktimës. Disa ditë më parë, autori ishte përballur edhe me përmbarimin, që i kishte lënë kohë 70 – vjeçarit për ta prishur vetë murin.

Pasi i mori jetën çiftit Kosta, Apostol Kosta e drejtoi armën nga vetja, duke mbetur i plagosur.

Ai mbeti i plagosur dhe është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar.

Ndërkohë, në shtëpinë e viktimave kanë shkuar forcat xheniere të RENEAs, për të hequr granatat e pa shpërthyera.

/tvklan.al