greqiaDështon raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Greqisë. Kandidati Stavros Dimas i mbështetur nga partitë e koalicionit qeverisës nuk arriti të marrë më shumë se 160 vota.

135 deputetë votuan kundër dhe 5 abstenuan. Për zgjedhjen e presidentit, në raundin e parë duhen 200 vota nga 300 vende që ka parlamenti grek.

Shpresat janë të pakta se kreu i ri i shtetit do të zgjidhet në raundin e dytë të datës 23 dhjetor. Në raundin e tretë të 29 dhjetorit, kuorumi i nevojshëm bie në 180 vota.

Vendi shkon në zgjedhje të parakohëshme nëse të tre raundet dështojnë dhe sipas analistëve kjo është e pashmangshme.

Aktualisht, sondazhet rendisin në krye Sirizën, e cila është kundër reformave radikale ekonomike që Greqia po ndjek prej vitit 2012, sipas direktivave të Bashkimit Europian.