Vetëm disa orë pasi Kryeministri grek takoi Presidentin Turk në Kinë, Athina akuzon Ankaranë se dy anije të marinës turke kanë shkelur ujërat territorialë të Greqisë për më shumë se 20 minuta.

Gazeta greke “Protothema” tha se dy anije të marinës turke kaluan në ujërat territoriale të Greqisë afër ishullit të Agathonisit, afër Kalymnos, në Egjeun Jugor.

Incidenti serioz vjen vetëm disa orë pasi Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan takoi Alexis Tsipras në Kinë dhe i kërkoi atij që t’i përmbahet në mënyrë tërësore traktatit të Lozanës, ç’ka nënkupton qartë demilitarizimin e ishujve të Egjeut.

Sipas burimeve, dy luftanije turke kaluan në ujërat greke të hënën, por Ushtria Greke nuk dha detaje. Dy luftanijet turke po merrnin pjesë në një stërvitje ushtarake dhe iu afruan brigjeve lindore dhe veriore.

Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje të mëdha për shumë ishuj në Detin Egje.

Në 1996-ën Turqia dhe Greqia u përplasën në atë që njihet si Kriza e Karadakut. Të dy shtetet zbarkuan ushtarë në dy ishujt e pabanuar dhe për pak u shmang një përplasje frontale mes dy ushtrive.

Situata mes dy fqinjëve u acarua sërish këtë vit, pasi më 29 Janar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë turke lundroi me anije rreth ishujve Imia (të karadaket në Greqisht), ndërsa menjëherë më pas, Ministri grek i Mbrojtjes fluturoi afër ishujve dhe hodhi kurora në det në nderim të ushtarëve grekë të vrarë në vitin 1996.

Mosmarrëveshjeve për ishujt në Egje vitin e fundit u është shtuar edhe çështja e 8 ushtarakëve turq që u arratisën në Greqi me një helikopter të nesërmen e grushtit të dështuar të shtetit verën e kaluar në Turqi. Athina zyrtare ka refuzuar ekstradimin  tyre deri më tani, ndërsa Ankaraja është zotuar për kundërpërgjigje. /tvklan.al