Në Greqi do të fillojë kultivimi i kanabisit industrial.

Vendimi i nënshkruar nga Ministri i Drejtësisë dhe ai i Zhvillimit Bujqësor, argumentohet me zbatimin e rregulloreve të Komisionit Europian. Propozimi ishte bërë dy muaj më parë nga 20 deputetët të partisë në pushtet, Syriza.

Pas këtij vendimi, pritet që mjaft fermerë të fillojnë menjëherë të mbjellin farën e kërpit, ose siç njihet gjerësisht, kanabisit industrial.

Në përpjekje që të parandalojë kultivimin për qëllime droge, qeveria do të ushtrojë vazhdimisht kontrolle dhe analiza laboratorike të kampionëve të prodhimit, që do të merren sistematikisht. Nëse konstatohen shkelje, ligji parashikon vënien e kultivuesit para drejtësisë, apo gjoba deri në 100.000 euro.

Legalizimi i kanabisit industrial vjen pas një sërë tubimesh vitet e fundit, që kërkonin ligjërimin e kanabisit për përdorim vetiak apo mjekësor.

Tv Klan