Kriza greke ka sjellë një pjesë të mirë të parave të emigrantëve në Shqipëri. Muaji shkurt shënoi një tjetër rekord historik për nivelin e kursimeve në monedhën euro. Vetëm në harkun kohor të një viti, llogaritë në këtë valutë u rritën me 300 milion euro. Ekspertët e sistemit bankar, sqarojnë se kjo dukuri lidhet ngushtë me situatën që po ndodh në shtetin fqinjë.

Në 2016-ën remitancat shënuan rritjen më të lartë në 4 vitet e fundit, duke sjellë 650 milion euro të ardhura nga emigrantët në Shqipëri. Greqia vijon të mbajë vendin e parë për këto dërgesa me afro 400 milion euro, e ndjekur nga Italia dhe Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët thonë se sistemi bankar është një alternativë e sigurt investimi, ku një kufi i shumës deri në 2 milion lekë të rinj mund të të kthehet. Kjo është dhe arsyeja se përse depozitat janë në rritje, e nga kahu tjetër fitimet që marrin qytetarët nga interesat është në rënie.

Por një pjesë e mirë e ekspertëve u vënë fajin dhe ekonomisë informale, e cila ka detyruar së fundi banën qendrore të marrë një plan masash kundër monedhës euro.

Tv Klan