Merkel Tspras

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i përgjigjet me një “Jo”, propozimit të kryeministrit grek për një plan të ri shpëtimit, disa orë para skadimit të afatit për shlyerjen e huasë ndaj FMN-së prej 1.6 miliardë eurosh.

Nëse nuk do t’ia dalë atëherë Greqia rrezikon të dalë nga eurozona. Ministri grek i  Financave, Janis Varufaqis tha se pagesa për FMN – në nuk do të bëhet.

Aleksis Cipras kërkoi një marrëveshje të re dyvjecare nga mekanizmi i shpëtimit, i njohur si Mekanizmi i Stabilitetit Europian apo EMS, qëllimi i të cilit është ruajtja e stabilitetit të euros.

Propozimi i kryeministrit grek erdhi pasi Komisioni Europian i ofroi një marrëveshje Greqisë, orët e vona të së hënës, e cila nuk u pranua nga Qeveria greke.

Megjithëse përgjigjia do të vijë mbrëmjen e së martës nga Eurogrupi, që do të zhvillojë një telekonfonferencë, kancelarja gjermane Merkel duket se i ka ngritur një mur zgjidhjeve të momentit.

“Berlini nuk do të marrë një konsideratë hipotezën e një plani të tretë shpëtimi për Greqinë, sic është propozuar nga Athina, përpara rezultatit të referendumit të së djelës-tha ajo”.

Me kalimin e orëve qytetarët grekë qëndrojnë në rradhë për orë të tërë pranë bankomatëve për të tërhequr kuotën e caktuar ditore prej 60 eurosh.

Mbi 1000 degë të bankave do të rihapen të mërkurën, për tu lejuar pensionistët, të cilët nuk përdorin karta, të tërheqin deri në 120 Euro. Të hënën, Cipras u bëri thirrje grekëve të kundërshtonin propozimet e kreditorëve, me argumentin se Jo-ja në fletën e referendumit do t’i jepte Greqisë, armë më të forta në negociata. Nëse rezultati i referendumit do të ishte ndryshe, ai la të kuptohet se do të japë dorëheqjen.

Tv Klan