shpetim idrizi1

Zgjedhja e kreu të partisë së çamëve, Shpëtim Idrizi në postin e Nënkryetarit të parlamentit ka sjellë një reagim të ashpër dhe të paprecedentë nga ana e Ministrisë së Jashtme greke.

Në faqen zytare të kësaj Ministrie, duke nënvizuar se ky reagim ka ardhur për shkak të interesit të mediave, Zëdhënësi Konstandin Koutra, deklaron pa përmendur emra se, zgjedhja e personave me të kaluar të tmerrshme fashiste në poste të larta shtetërore, nuk i shërben fqinjësisë së mirë.

Sipas Zëdhënësit, kjo nuk i shërben as perspektives europiane, duke nënkuptuar një lloj presioni për pozicionin që mund të mbajë Greqia në Parlamentin Europian, në raport me kërkesën e Shqipërisë, për çeljen e negociatave të antarësimit në BE.

Menjëherë pasi Shpëtim Idrizi u votua nga parlamenti si Nënkryetari i Kuvendit, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule dha dorëheqjen me anë të një letre drejtuar Kryeparlamentarit Ilir Meta, duke e argumentuar këtë vendim me mos pranimin, sipas tij, të faktit se institucionet po kthehen në një plaçkë këmbimi në tregun e aleancave fluide.

Ndërsa vetë Idrizi, në reagim të kësaj dorëheqje tha se Dule nuk përfaqëson minoritetet në Shqipëri, por Agimin e Artë dhe kolonelin famëkeq, Zerva.

Tv Klan