zona-euroZërat se Greqia mund të dalë nga Eurozona po shtohen. Mediat gjermane flasin për një dokument konfidencial të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku përllogariten pasojat e një daljeje të mundshme të Greqisë nga hapësira e përbashkët monetare europiane. Një ndër pasojat më të rënda do të ishte Hiperinflacioni, që për ekspertët e FMN konsiderohet si një katastrofë financiare për Athinën.

Çmimet e mallrave do të pësonin një rritje të lartë, veçanërisht ato të importit. Për të stabilizuar ekonominë, vendit do t’i duhej sërish aplikimi i masave ekstreme antikrizë. Banka Qëndrore Europiane duhej të përgatiste mekanizma mbrojtës për vende të tjera vulnerabël, si Spanja, Portugalia e Irlanda, të cilat do të ishin të parat që do të rrezikoheshin nga dalja e Greqisë.

Megjithatë, ministrat e financave të Eurogrupit përjashtuan mundësinë e daljes së Greqisë nga zona Euro. Ministri francez i financave Mishel Sapin tha gjatë mbledhjes së një dite më parë në Riga, se për Greqinë ka vetëm një plan, të vijojë të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe e Eurozonës. Burime nga samiti thanë se disa prej ministrave pjesëmarrës e kishin etiketuar homologun e tyre grek Varufakis si “Diletant” e “Kumarxhi” për qëndrimin aspak profesional sipas tyre, që po mbante në negociata.

Pagesa e këstit të rradhës ndaj kredidhënësve ndërkombëtarë po afron. Greqisë po i mbaron likuiditeti dhe nëse deri në fund të Majit nuk paraqet një plan bindës reformash, rrezikon të mos marrë as këstin 7.5 mld eurosh, i fundit i kredisë prej 240 mld eurosh të marrë në vitin 2010.

Tv Klan