Maqedonia do të anëtarësohet në NATO, vetëm pasi të ketë zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Deklarata që bllokon aspiratën e vendit fqinj për anëtarësim në aleancën ushtarake, vjen nga ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, në përfundim të Samitit të ministrave të Jashtëm të aleancës në Bruksel.

“Ne e kemi bërë të qartë se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, duhet të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë, ashtu siç thuhet në Deklaratën e Samitit të Bukureshtit në vitin 2008, si edhe të zbatojë rezultatet që do të sjellin bisedimet”.

Kotzias pati një takim më vete me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov lidhur me këtë çështje.

Greqia dhe Maqedonia janë në një fazë intensive bisedimesh rreth çështjes së emrit. Shkupi ka bërë hapa përpara për heqjen e emrit të Aleksandrit të Madh nga aeroporti ndërkombëtar dhe autostrada, por gjuha për emrin e Maqedonisë nuk është gjetur ende. Athina ka propozuar disa variante ku më i pranueshmi duket se do të jetë ai i “Gorna Makedonija”, apo Maqedonia e Sipërme.

Tv Klan