greqiGrekët votojnë sot për të zgjedhur qeverinë dhe 300 anëtarët e rinj të parlamentit, në një proces që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Janë 9.8 milionë votues, të thirrur për të dhënë votën e tyre. Procesi nisi në 7 të mëngjesit dhe pritet të mbyllet në orën 19.

Numërimi nis në 21:30 kur pritet të dalin edhe rezultatet e para. Sondazhet flasin për një fitore të të majtëve radikalë euroskeptikë të SYRIZAs, që kërkojnë rinegocim ta masave të ashpra antikrizë.

Pasi hodhi votën e tij, kreu i kësaj partie Aleksis Cipras u tha gazetarëve se rrethi vicioz i masave anti-krizë tashmë ka marrë fund.

ALEXIS TSIPRAS: “Ne do t’i rikthejmë Greqisë dinjitetin, duke lënë pas shkurtimet e vendeve të punës, pagave dhe pensioneve, që u shkaktuan vuajtje miliona njerëzve në mbarë vendin”.

Ndërsa kryeministri në largim Andonis Samaras, partia e të cilit renditet e dyta, sipas sondazheve, paralajmëroi votuesit për rrezikun që i kanoset vendit, duke votuar SYRIZAn.

ANTONIS SAMARAS: Sot ne vendosim nëse do të ecim përpara, apo do të ndërmarrim një rrugëtim drejt të panjohurës. Jam optimist se askush nuk do të rrezikojë kursin europian të vendit”.

Mes banorëve të Athinës ka skeptikë se nje qeveri e re mund ta ndryshoje gjendjen.

BANOR: “Kam fëmijë. Kam një punë. Druhem se mund ta humb. Gjithkush mendon sipas interesit, por nuk mendoj se një qeverisje e re do të sjellë ndryshim”. 

Megjithatë, janë të shumtë ata që kanë shpresa tek nje qeveri e re e udhëhequr nga radikalët e majtë.

BANORE: “Po votoj për një ndryshim të madh. Do të ketë një qeveri të re që do të na çlirojë nga masat e forta të kursimit. Po votoj për Sirizën”.

ZOTËRI: “Votova për dikë që nuk ka qenë në qeveri, nuk ka vjedhur paratë e vendit tonë dhe nuk na ka nëpërkëmbur, për diçka të re”.

Sipas kodit elektoral, partisë që del e para ne zgjedhje i jepet një bonus prej 50 deputetësh në parlament. Nëse partia fituese nuk arrin të formojë qeverinë, mandati i kalon partisë së dytë.

Dështimi edhe i kësaj tentative e çon vendin në zgjedhje të reja brenda 30 ditëve. Nga formulimi i ri i parlamentit do të zgjidhet edhe presidenti.

Nga dështimi i zgjedhjes së tij në dhjetor, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

Tv Klan