Ka hyrë në ditën e dytë greva e urisë  e 150 të burgosurve të burgut të Drenovës. Që prej të enjtes ata kanë refuzuar ushqimin dhe akuzojnë administratën e burgut se po ushtron presion mbi të burgosurit që të ndërpresin grevën e urisë.

Pasditen e të premtes të gjithë të burgosurit që u konsideruan organizatorë të grevës u transferuan nga Drenova në burgje të tjera.

Markel Busho dhe Ervin Xhacka u transferuan në burgun e Burrelit, Gentian Kosta në burgun e Lezhës dhe Klajdi Stefa në burgun e Peqinit.

Drejtues të burgut thanë se greva e urisë është në tejkalim të rregullores së burgut dhe refuzimi i ushqimit cënon rendin dhe sigurinë në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Të burgosurit i kanë paraqitur administratës së burgut dhe Ministrit të Drejtësisë një kërkesë me 6 pika, nëpërmjet të cilave kërkohet ndryshimi i disa neneve të Kodit Penal.

Kërkesat e të burgosurve lidhen me ndryshimin e nenit 64 të Kodit Penal, për zbutjen e kritereve që parandalojnë dhënien e lirimit me kusht.

Tv Klan