Përhapja globale e gripit të shpendëve ka arritur në nivele të paprecedenta, duke shtuar rrezikun e një epidemie të mundshme.

Alarmi vjen nga ekpertët, pasi përgjatë 3 muajve të fundit janë raportuar disa raste të përhapjes së këtij virusi në pulari dhe nëpër shpendë të egër në Europë, Afrikë e Azi.

Tashmë, zyrtarë të shëndetit i frikësohen faktit se ky virus mund të pësojë mutacion dhe të kthehet në një formë epidemie masive që mund të kalojë lehtësisht nga një person në tjetrin, diçka që bota nuk e ka parë më parë.

Frika e ekspertëve, siç shpjegon në një artikull të sajin e përditshmja britanike “The Sun”, vjen për shkak të shfaqjes së këtij virusi në kaq shumë vende të botës në të njëjtën kohë, duke rritur rrezikun e miksimit dhe mutacionit të viruseve, e duke i ofruar mundësinë që të kalojë edhe tek njerëzit.

Sipas specialistit të sëmundjeve infektive në Universitetin e Minnesotas, Michael Osterholm, ky është një ndryshim thelbësor në historinë natyrale të viruseve të influencës. Ai shprehet se numri i viruseve nëpër botë aktualisht është i paprecedentë.

Zyrtarët janë të shqetësuar se një lloj i ri mund të kalojë tek njerëzit, si H5N1, në fundin e viteve 1990./tvklan.al