Policia po heton një burrë që thuhet se ka mbajtur nënën e katër fëmijëve të tij si të burgosur dhe skllave seksuale për gjashtë vjet, duke mos e lënë atë të dalë kurrë jashtë shtëpisë.

Sipas Daily Mail, Rinat Bilyanov është duke u hetuar në Rusi pasi akuzohet për rrahjen dhe torturimin e partneres së tij Lilia, fëmijët e të cilëve janë të gjithë të lindur pasi ajo ishte e marrë peng nga i shoqi.

Çifti ishte takuar në një faqe interneti ku njiheshin myslimanët me njëri tjetrin dhe nuk ishin zyrtarisht të martuar, por i ishin nënshtruar një ceremonie fetare, tha e dhunuara.

Gruaja e cila është vetëm 20 vjeç, u detyrua të qëndronte në një banesë me mure betoni, dhe me dritare druri, ku nuk futej as drita, në një krahinë të Moskës e quajtur Pushkino.

Ajo kishte ngelur shtatëzënë katër herë gjatë viteve të ferrit, tha avokati i saj.

Këtë javë ajo arriti të thërrasë policinë që erdhi për ta shpëtuar atë dhe katër fëmijët e saj pas ndërhyrjes në banesë.

“Ne ishim të mbyllur brenda gjithë kohës”,

tha ajo.

“Nuk mund të dilja askund. Vajza ime e vogël e ka parë vetëm një herë dritën e diellit”.

Burri i saj i nxirrte fëmijët jashtë herë pas here, ndërsa atë e mbante gjithmonë të mbyllur.

“Ai më rrihte me shkop, dhe i thoshte djalit tonë të vogël ‘Ruslan, kur të rritesh duhet ta rrahësh atë në këtë mënyrë, sepse nëna jote është shumë e keqe’”.

Ajo tha për gazetarët:

“Kam vuajtur për gjashtë vjet. Ai më rrihte në sy të fëmijëve. Një herë shkopi i tij u thye ndërkohë që po më rrihte”.

 

Policia arriti të shkelmojë derën duke shpëtuar atë dhe fëmijët e saj pasi ajo arriti të lajmëronte policinë duke kërkuar ndihmë.   

Ajo dhe fëmijët janë tani në një strehë për gratë.

Policia ka arrestuar agresorin dhe pritet që ai të dalë para gjykatës./tvklan.al