Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit në Maqedoni, nuk kanë ndryshuar edhe pas rivotimit të një dite më parë në Tearcë.

Rezultatet përfundimtare janë zyrtarizuar nga komisioni shtetëror i zgjedhjeve mbrëmjen e kaluar, ky sipas tyre, VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja BESA 5, Aleanca Për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 mandate deputetësh.

Sipas kushtetutës, presidenti Ivanov brenda 20 ditësh duhet të thërrasë fituesin e zgjedhjeve, Nicola Gruevskin, kreun e VMRO-se, për ta mandatuar për formimin e Qeverisë se re.

Megjithatë, VMRO-DPMNE duhet të sigurojë 61 deputetë për formimin e Qeverisë, arritje të cilën pritet ta realizojë me bashkëpunimin e BDI-se, e cila ka siguruar 10 deputetë në parlament. Pak ditë më parë një pjesë e partive shqiptare u mblodhën në një tryezë ku ranë dakord për hartimin e një platforme kushtesh për të marrë pjesë në një qeveri europiane, siç  tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Tv Klan