Policia ka lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare ndaj të arratisurve Goran Grujevski dhe NIkola Boshkovski, të punësuar në Ministrinë e Brendshme.

Ata humbën çdo gjurmë pasi gjykata supreme konfirmoi vendimin e apelit që dy të akuzuarit nga specialja për përgjim joligjor të përfundojnë në burgun hetues në Shutkë. Ekipe të MPB-së kanë qenë në shtëpinë e Grujevskit dhe Boshkovskit. Pasi nuk i kanë gjetur, kanë marrë të dhëna nga të afërmit e tyre se ku janë dhe ku mund të gjenden. Policia përveç në Shkup i ka kërkuar edhe në Ohër dhe Veles pasi kanë pasur njohuri se të akuzuarit mund të fshihen në këto dy qytete, por përsëri pa sukses. Për ekspertët e fushës së sigurisë fare nuk është befasuese që dy punonjësit e policisë sekrete ilegalisht ta kenë lëshuar Maqedoninë, edhe pse nuk kanë pasaporta.

Në disa muajt e fundit ky është rasti i dytë ku shqiptohet paraburgim në lëndë të Speciales, ndërsa i akuzuari nuk është i kapshëm që të dërgohet në burgun hetues të Shutkës. Grujevskit dhe Boshkovskit i parapriu rasti me biznesmenin Sead Koçan. Edhe ndaj tij policia lëshoi urdhërarrest ndërkombëtar por kjo nuk ndihmoi aspak që ai të gjendej. Koçan ishte jashtë Maqedonisë rreth dy muaj me arsyetimin se është në udhëtim zyrtar, edhe pse ishte shqiptuar paraburgimi dhe u kthye pasi Supremja shfuqizoi paraburgimin, ndërsa urdhëraresti ndërkombëtar u tërhoq. Për Grujevskin dhe Boshkovskin vendimi për paraburgim është prej dhjetë ditësh por konfirmimin e gjykatës më të lartë e kanë pritur në liri. Para gjykatës së apelit të akuzuarit në lëndët “Fortesa” dhe “Target”, kohë më parë premtuan se nuk do të arratisen dhe se do të jenë në dispozicion të nevojave të procedurës gjyqësore ndaj tyre.

/Alsat-M