Kapja e 1,3 tonëve kanabis në Kavajë do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa dosja për bllokimin e 15,2 tonëve marijuanë në Llakatund të Vlorës do t’i lihet prokurorisë së rrethit.

Në rastin e Kavajës hetuesit dyshojnë se pas qëndron një grup i strukturuar kriminal që merret me trafikun përmes detit të lëndëve narkotike drejt Italisë.  

Sekuestrimi i gomones në Plazhin e Gjeneralit konfirmon dyshimet se kanabisi do trafikohej jashtë vendit.  Ditën e shtunë me urdhër të prokurorisë janë arrestuar 2 persona duke e çuar në 5 numrit e të ndaluarve.

Në pranga janë vënë Arvis Muçaj dhe Aristotel Kasaj te dy nga Vlora.

Ata janë pronarët e fuoristradës ku u gjetën 300 kilogramë kanabis. Ndërsa  të premten u prangosen Joni Sadikaj, Roland Hysenbelliu dhe Kejvi Hajdari.

Ky i fundit është djali i një zyrtari të policisë i cili ka shërbyer në pozicione drejtuese në disa komisariate. Policia e Kavajës ka rënë rastësisht në gjurmët e dy mjeteve të ngarkuara me drogë.

Burimet sqarojnë se një patrulle policie ka qenë e vendosur në këtë zonë për zbatimin e planit kundër vjedhjes së makinave dhe banesave. Në këtë kohë patrulla ka parë furgonin i cili udhëtonte me shpejtësi dhe drita të gjata dhe i ka bërë shenjë të ndalojë. Por drejtuesit e mjeteve janë trembur dhe kanë shtuar shpejtësinë. Blutë i kanë ndjekur disa kilometra dhe personat që ishin në mjete i kanë braktisur duke u larguar. Më pas disa dhjetëra efektive krehën zonën duke arrestuar 3 persona dhe sekuestruar 4 mjete dhe një gomone.

Ndërsa për rastin e Vlorës ku u kapën 15,2 ton kanabis dyshimet e para janë se droga vetëm ishte magazinuar dhe për momentin nuk është ngritur akuza e trafikut për 9 të arrestuarit.

Tv Klan