Grupi i njohur si mbrojtësit e statutit të Partinë Demokratike kanë dalë me një deklaratë ku i kërkojnë kryesisë së kësaj force të mblidhet në mënyre urgjente dhe të marrë masat (1) për anulimin e procedurës se nisur pa miratimin e kryesisë së PD-së; (2) ngritjen e një grupi gjithëpërfshirës pune për hartimin e rregullores për zgjedhjet dhe të kalendarit të procesit zgjedhor; (3) të miratohen rregullorja dhe kalendari, sipas statutit; (4) me hyrjen në fuqi të këtyre akteve, Kryesia të shpallë zgjedhjet në një datë të përshtatshme dhe të pranueshme për të gjithë; (5) Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të fillojë menjëherë procesi për organizimin e kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë, ku të paraqitet platforma politike për rimëkëmbjen e PD-së dhe për ringjalljen e opozitarizmit në Shqipëri.

Në deklaratën e përbashkët të firmosur nga të gjithë aktivistët, anëtaret e forumeve, deputetët, personalitetet dhe figurat publike që janë bërë bashkë në mbrojtje të statutit dhe Partisë Demokratike e cilësojnë rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit si disfatën më të rëndë zgjedhore në historinë e Partisë Demokratike, i cili sipas tyre veç shitblerjes së votës nga ana e partive të mazhorancës ishe dhe pasojë e gabimeve të rënda të PD. Ndaj ata kërkojnë që PD duhet t’u ktheje me urgjencë shpresën shqiptarëve, duhet t’u ringjalle besimin, duhet të shpëtojë demokracinë në këtë vend dhe kjo përmes një gare të hapur, me rregulla të drejta e të paanshme, me analizë dhe debat alternativash, me konkurrim real dhe respekt e gjithë-përfshirje për sfidantët përbën kushtin themelor për rimëkëmbjen e PD-së.

Aktualisht në garë për kreun e PD janë vetëm kryetari i vetëngrirë Lulzim Basha dhe Eduard Selami, ndërsa një nga kandidaturat që po përflitet edhe ajo e Astrit Patozit, i cili ka lajmëruar një dalje në orën 18 të kësaj të shtune.

/Tv Klan