Mbi 1000 persona të dyshuar si pjesëtarë të Organizatës Terroriste Fetullahiste (FETO) dhe të akuzuar si të infiltruar në policinë e shtetit janë arrestuar sot në një operacion të gjerë në Turqi.

“1009 të infiltruar janë arrestuar në 72 provinca të Turqisë”, tha Ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu nga Ankaraja. “Ky është një hap i rëndësishëm për Republikën e Turqisë”, tha ai, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.

Ndërkohë media raporton se ekzistojnë mandat arrestet për 3000 të dyshuar në total.

Agjencia tha se në operacionin me bazë Ankaranë janë përfshirë 8 500 forca policie.  Ndjekja e të dyshuarve të tjerë në të gjithë vendin vazhdon.

Sipas qeverisë turke, organizata e udhëhequr nga imami Fetullah Gylen, i vendosur prej shumë vitesh në SHBA, ka orkestruar grushtin e dështuar të shtetit me 15 korrik 2016,kur humbën jetën 249 persona dhe u plagosën 2 200 të tjerë.  

Ankaraja ka akuzuar ndjekësit e imamit Gylen se janë pas një përpjekjeje të gjatë për të rrëzuar qeverinë turke nëpërmjet infiltrimeve në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor. Akuzat janë mohuar nga Fetullah Gylen. /tvklan.al