Antikiteti grek, qyteti historik i para Krishtit që ngrihet mbi kodër në Athinë, me sa duket frymëzoi krijuesit e shtëpisë së modës “Gucci”, të cilët ofruan as më shumë e as më pak se 56 milionë euro për të zhvilluar sfilatën e radhës në Akropol. Por, ndonëse prej vitesh në kohë krize, shteti grek ka hedhur poshtë ofertën e majme!

Këshilli Arkeologjik i Greqisë refuzoi kërkesën e markës italiane të veshjeve luksoze, e cila planifikonte të mbante një shfaqje mode këtë verë në sitin historik.

“Karakteri unik kulturor i Akropolit është në kundërshtim me këtë event. Monumentet e tij janë simbole të civilizimit ashtu si edhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s”, thuhej në përgjigjen zyrtare të refuzimit. 

“Gucci” kishte propozuar të ofronte 2 milionë euro për restaurime në Akropol ose të financonte çdo projekt tjetër që Ministria e Kulturës së Greqisë do të zgjidhte në mënyrë që të merrte leje për të organizuar një event që do të zgjaste 15-minuta. 

Përfaqësuesit e “Gucci-t” pretendonin se me organizimin e kësaj sfilate, Akropoli do të kishte visibilitet të madh meqë mes 300 të ftuarve, pjesëmarrës do të kishte edhe yje të Hollivudit. Shfaqja do të zgjaste 15 minuta dhe të ftuarit do të ishin 300, mes tyre 10% grekë, 80% redaktorë revistash evropiane dhe amerikane të modës dhe 10% yjet të Hollivudit. 

Ngjarja do të mbahej më 1 qershor e do të fillonte në orën 10 të darkës duke i nisur provat dy orë më parë. Organizatorët do të ishin të detyruar që menjëherë pas shfaqjes të hiqnin pajisjet e tyre nga Akropoli. 

Oferta marramendëse e “Guccit” nuk ia ka mbushur syrin as ministres greke të Kulturës e cila duke folur për televizionin publik ERT, tha se është dakord me vendimin e Këshillit të Arkeologëve. “Partenoni është një monument i rëndësishëm për ne grekët. Ne kemi detyrë të mbrojmë këtë simbol global të lirisë dhe demokracisë”, tha Lydia Konordou. 

Nga ana tjetër, në sitin arkeologjik të Akropolit nuk kanë munguar në të shkuarën aktivitetet komerciale. Mjafton të kujtojmë shërbimin fotografik të këngëtares amerikane Jennifer Lopez në vitin 2008. Apo dhe skenat e filmit “The two faces of January” me Viggo Mortensen dhe Kristen Dunst, xhiruar në vitin 2014. /tvklan.al