Burgim të përjetshëm është dënimi që gjykata ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi ka dhënë për Ratko Mlladiçin.

Ish-komandanti i ushtrisë serbo-boshnjake gjatë luftës së Bosnjës në periudhën mes viteve ’92-’95, u shpall fajtor për 10 prej 11 akuzave të ngritura nga prokurorët e Hagës. Gjykatësi Alfons Ori theksoi edhe ato më të rëndat.

“Shpallet fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht persekutim, përdhunim, vrasje, shpopullim, dëbim dhe për aktin çnjerëzor të transferimit me forcë.”

Avokati i Mlladiçit kërkoi që dhënia e verdiktit të shtyhej, pasi klienti i tij pati tension të lartë teksa dëgjonte leximin e akuzave. Por Mlladiç u ngrit nga vendi i revoltuar dhe e akuzoi si mashtrues gjykatësin, kur ky i fundit nuk pranoi kërkesën e avokatit.

Pas këtij episodi, Ori urdhëroi nxjerrjen e tij jashtë salle. Ratko Mlladiç, sot 74-vjeç  është përgjegjës gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995, ku ushtria e tij vrau mbi 8 mijë myslimanë. Masakra konsiderohet si më e rënda në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

Tv Klan