Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn mbështet ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Në një intervistë për France 24, ai shpjegon se gjithçka kanë arritur deri më tani në këtë proces, e kanë merituar.

“Dua të theksoj se i gjithë procesi dhe jo vetëm negociatat, bazohen tek merita. Nuk është se po bëjmë tolerime. Është në interesin tonë për ti nxitur dhe asistuar këto vende, por nuk bëhet fjalë për një drekë falas”.

Mesazhi i drejtohej atyre politikanëve europianë, që janë skeptikë për progres-raportin e Komisionit Europian, që ndër të tjera rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Han garanton Brukseli nuk ka hequr dorë nga projekti për anëtarësimin e rajonit.

“Duhet të jemi të qartë se të gjithë këto vende të Ballkanit Perëndimor, sot janë të rrethuara nga anëtarë të Bashkimit Europian. Do të ishte si një lloj konsolidimi, nëse ato bëhen njëherësh pjesë e Bashkimit Europian”.

Si Han ashtu edhe kreu i Komisionit Europian Junker e kanë bërë të qartë se integrimi europian i rajonit e largon atë nga rreziku i rikthimit të konflikteve të viteve ‘90 dhe influencat e fuqive të tjera si Rusia.

Tv Klan