Federica Mogerini, përfaqësuese e lartë  e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, si dhe Johanes Hahn , Komisioner për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit do të vizitojnë Kosovën me 16 dhe 17 Maj. Kjo u diskutua në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, i krijuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, i cili mbajti sot mbledhjen e tij konstituive.

Mbledhja u mbajt nën kryesimin e Xhavit Halitit, nënkryetar i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i këtij Komisioni, i cili në fillim të takimit vuri në pah rëndësinë e komisionit, ndërkaq, u shpreh i bindur se anëtarët e tij do të përmbushin detyrimet dhe agjendën e përcaktuar.

Në takim u miratua draft agjenda e takimit të parë  të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE, i cili do të mbahet më 16 dhe 17 Maj, në Prishtinë, ku të ftuar janë edhe Federica Mogerini dhe Johanes Hahn, raporton Klan Kosova.

Po ashtu, në takim në të cilin morën pjesë anëtarët e të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, u nënvizua se për çështje me interes madhor duhet tejkaluar përkatësitë partiake, në mënyrë që të arrihen suksese më të mëdha në interes të vendit./tvklan.al