Ka qenë i drejtëpërdrejtë dhe më i ashpër se kurrë komisioneri Johanes Hahn ndaj klasës politike që qeverisë vendet e Ballkanit. Ai e ka krahasuar situatën në rajon me atë të Nikaraguas së juntave ushtarake në vitet ’70, duke thënë se qeveritarët nuk duan të ndryshojnë, ndërsa rinia po ikën nga vendi.

“Dua t’u tregoj ju se kur kam qenë politikan në moshë të re, përpara më shumë se 30 vitesh dhe kam ende kujtimin e lotëve në sy kur vizitova Nikaraguan dhe munda të takoj përfaqësues nga sindikatat që ishin liruar nga burgu një ditë më parë dhe më shfaqen shenjat e torturave në trupat e tyre. Fatkeqësisht nuk kam qenë kurrë në një situatë të tillë, por kam respekt për çdo njeri në atë lloj situate dhe ju jeni në një farë mënyre në një situatë të ngjashme. Të jeni të sigurt ne jemi në mbështetjen tuaj”.

Johanes Hahn ka mbajtur sot në Tiranë fjalimin më të ashpër të karrierës së tij si komisioner i zgjerimit, por edhe dramatik për qytetarët e rajonit që mbajnë sytë nga Perëndimi në pritje të integrimit sa më të shpejtë.

“Nëse ju ndiqni si po qeverisin ata që drejtojnë shtetet e rajonit, është e qartë se ata nuk janë të interesuar të ndryshojnë situatën. Ata janë të gatshëm të ndryshojnë vetëm diçka, pasi po përballen me presionin tonë dhe të qytetarëve, sidomos të pjesës më dinamike, të të rinjve të cilët po largohen nga këto vende pasi vuajnë nga niveli më i lartë i papunësisë në Evropë. Ata nuk duhet të bëjnë diçka, duhet të punojnë sepse ndryshe nuk mund të lënë situatën të dalë nga kontrolli dhe të kuptojnë se integrimi evropian është e vetmja alternativë. Ju duhet të kuptoni se nuk është e lehtë për ata personalisht sepse pasojat mbi ta do të jenë serioze”.

Në përfundim të takimit dy ditor me mediat e rajonit, Hahn i garantoi gazetarëve se nuk do të tolerohet shkelja e lirisë së medias dhe e pavarësisë së gjyqësorit në Ballkanin Perëndimor kushte themelore këto për ecurinë drejt BE-së.

Burimi: Klan Plus

Gazetar: Vladimir Lame