Ministria e Energjisë ka shpallur tenderin për të dhënë me koncesion dy hece në zonën e Librazhdit përgjatë lumit Bushtricë.

Bushtrica 1 dhe 2 janë hidrocentrale të cilat në vitin 2009, qeveria Berisha ia dha të drejtën e ndërtimit dhe shfrytëzimit një kompanie private, të cilës më vonë i është revokuar licenca.

E kontaktuar nga Televizioni Klan, Ministria e Energjisë dhe Industrisë shprehet se arsyet e heqjes së licencës për këtë firmë ishin dështimi në realizimin e investimit për ndërtimin e hec-eve.

Koncesioni për dy hidrocentralet do të jepet për 35 vjet sipas formës partneritet publik – privat, ndërsa prioritetin për marrjen e kontratës do ta ketë oferta e cila ka vlerën më të madhe të investimit, fuqinë e instaluar dhe projektin që mbron më shumë mjedisin.

Fuqia e instalimit e propozuar fillimisht ishte 28 mega vat, por në këtë tender ministria do të pranojë edhe kërkesa me fuqi më të vogël. Dy hidrocentralet janë në afërsi të zonës së mbrojtur, parkut kombëtar Shebenik – Jabllanicë.

Zyrtarisht ministria thotë se ndërtimi i hidrocentraleve nuk ka ndikim në parkun kombëtar, ndërsa kompanitë që do të sjellin projektin duhet të marrin më parë lejen mjedisore.

Tv Klan