Kryeministrat e Shqipërisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës nënshkruan deklaratën e përbashkët për krijimin e një hapësire të vetme ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës europiane të Kancelares gjermane, Angela Merkel, për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si një parakusht për përshpejtimin e ritmeve të integrimit europian të rajonit kryetarët e qeverive të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Samitin e Sarajevës.

Në samit u diskutua mbi proceset euro-integruese të vendeve të rajonit, bashkëpunimin ndërmjet tyre,  progresin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme në ekonomi, transport, energji, infrastrukturë që nga fillimi Procesit të Berlinit.

Samiti i Sarajevës mbahet në kuadër  të përgatitjeve për Samitin e Triestes më 12 korrik të këtij viti, i katërti në kuadër të procesit të Berlinit, pas konferencës së nivelit të lartë në Berlin, më 28 gusht 2014, për të vazhduar me Samitin e Vienës më 27 gusht 2015 dhe atij në Paris më 4 korrik 2016.

Nxitje aktive e biznesit dhe e investimeve

Në  deklaratën e përbashkët në Samitin e Sarajevës pesë kryeministrat ranë dakort për të intensifikuar bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik mes vendeve të tyre dhe ndërtimin e  një tregu të përbashkët, që përfshin qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, lëvizjen e lirë të forcës së kualifikuar të punës dhe një hapësirë dinamike investimesh.

Gjithashtu në samit u ra dakord për nxitjen në mënyrë aktive të biznesit dhe promovimin e investimeve në nivelin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Pjesëmarrësit propozuan që përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse së bashku me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe me mbështetjen e Komisionit Europian, të fillojnë punën për të përgatitur një propozim për një qasje të përbashkët për një bashkëpunim të mëtejshëm Ekonomik në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet nismave të ndryshme që do të paraqiten në Samitin e Triestes.​

Krijimi një  hapësire të vetme ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimeve zyrtare Johannes Hahn, komisioneri BE për çështjet e zgjerimit dhe fqinjësisë së mirë që mori pjesë në Samitin e Sarajevës theksoi se “ekonomia është e para për të sjellë progres në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”. Ai propozoi  krijimin e një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor si një bazë për hyrjen e rajonit në BE si edhe heqjen e të gjitha pengesave për vendosjen e një hapësire të vetme ekonomike  me synimin e integrimit në tregun e brendshëm të BE për një periuudhë afatgjatë.

Hahn propozoi gjithashtu edhe heqjen e pengesave për lëvizjen e mallrave edhe të kapitaleve: “Ndërtimi i një tregu të përbashkët është ajo që ndodhi brenda BE dhe që prodhoi zhvillime jashtëzakonisht  pozitive. Në skenarin më të mirë nga krijim i tregut të përbashkët rajonal do të krijohen më shumë se 80,000 vende të reja pune në rajon deri në vitin 2025.

Rajoni në një situatë të rëndë tensionesh etnike

Perspektiva që i hap rajonit tregu i përbashkët rajonal për zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimit të ritmeve të procesit të integrimit hapet kur disa vende të Ballkanit po përballen me kriza të brendshme dhe marrëdhënie të tensionuara midis tyre, gjë që pengon  procesin e integrimit

“Jemi në një situatë ku disa vende po kalojnë përmes krizash të rënda të brendshme politike, ndoshta të tensioneve etnike. Vendet janë në faza të ndryshme të përpjekjeve të tyre për t’u bashkuar me BE-në. Përplasjet e fundit politike të brendshme dhe marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet shteteve në rajon përbëjnë pengesa për procesin e integrimit. Kjo duhet të zgjidhet. Brukseli i dërgon sinjale të qarta dhe të forta rajonit. BE-ja si tërësi kupton plotësisht seriozitetin e situatës në rajon” – theksoi komisioneri Hahn./DW