Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme që prej 45 viteve mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist, është hapur këtë të martë për publikun.

“Dallimin mes nesh dhe atyre andej në Bashkimin Europian, nuk e bën klima, nuk e bën gjeografia, nuk e bën as historia e njerëzve, por e bëjnë ende shumë të dukshëm institucionet, historia e institucioneve, tradita e shtetit, pavarësisht nga njerëzit, pavarësisht nga brezat që i lënë radhë njëri-tjetrit. Këtu është edhe nyja gordiane që do të këpusim për t’u bashkuar me ata andej e në këtë përpjekje është e domosdoshme që ne të përputhim raportin tonë me të shkuarën, në funksion të së ardhmes“,

theksoi Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë inaugurimit të këtij muzeu.

“Shtëpia me Gjethe”, është projektuar sipas standardeve europiane nga një grup në përbërje të të cilit edhe ekspertë tëhuaj dhe me konsulencë ndërkombëtarë nga institute dhe muze me tematike të ngjashme. Ai është i ndarë në 9 sektorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve 30’-të dhe deri në vitin 1991./tvklan.al