Pas tre dështimesh, ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit ka hapur sërish tenderin për të dhënë me koncesion 101 hektarë truall në zonën e Spitallës në Durrës. Urdhri për rihapjen e tenderit ndërkombëtar është firmosur nga ministrja Milva Ekonomi në datën 27 shkurt dha afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar data 28 prill.

Në bazë të një pakete ligjore të hartuar nga kjo ministri, synimi është që në Shqipëri të funksionojnë 3 zona të lira ekonomike: në Durrës, Koplik dhe Vlorë, të cilat do të zhvillonin industri të lehtë të fokusuar në mjetet teknologjike, duke përfituar përgjysmim të tatim-fitmit, lehtësi në kontributet shoqërore të punonjësve dhe procedura të thjeshtuara për zhvillimin e saj.

Qeveria pret që ekonomia të përfitojë afro 1 miliard dollarë vetëm nga Spitalla. Një vit më parë një kompani kineze dhe një italiane u skualifikuan, pasi kishin mangësi në dokumentacionin e dorëzuar.

Kinezët ofruan një investim prej 1.5 miliardë dollarësh për 9 vite dhe synonin të hapnin 90 mijë vende të reja pune. Por sfida që mbetet tani është gjetja e investitorëve. Këto zona do të jepen me konçesion për 99 vite./ TV KLAN