Nxënësit e shkollës “Hasan Tahsin” e nisën vitin e ri shkollor në një godinë krejtësisht të re. Bashkia e Tiranës mbajti premtimin duke përfunduar në kohë rekord rikonstruksionin e plotë të shkollës  duke ofruar për 1 mijë nxënës kushte më të mira të mësimdhënies.

Ambientet e rinovuara të kësaj shkolle u përuruan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja, Lindita Nikolla, të cilët pasi u njohën nga afër me kushtet e shkollës, uruan suksese në vitin e ri shkollor. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se sot në të gjithë Tiranën janë hapur 191 shkolla me ambjente të rregulluara.  

”Dua t’ju uroj të gjithëve nga zemra Gëzuar vitin e ri shkollor! Jam shumë i lumtur që në të gjithë Tiranën sot ja hapur 191 shkolla, njëra më e mirë se tjetra. Në shkollat ekzistuese kemi bërë shumë punë, shumë riparime, ndërkohë që jam shumë i lumtur që bashkë me shoqen time, mikeshën time, kolegen time, motrën time, Lindita Nikolla ne do hapim 4 shkolla të reja këtë vit”, tha Veliaj sipas një njoftimi për shtyp të Bashkisë.

 Veliaj deklaroi se falë investimeve të tilla do të marrë fund dhe mësimi me dy turne. “Kemi lajm të mirë edhe për “Fan Nolin”. Unë e mbaj mend që ditët e para, mbaj mend patëm peticione nga prindërit, patëm revolta. Unë e them gjithmonë, sa herë që ndodhin gjëra të bukura, në fillim ka një reagim, por pastaj kur takova sot disa nga prindërit e “Fan Nolit” që thanë, ku paskemi qenë. Insistimi për të bërë me dy turne te “Fan Noli”, ndërkohë që fëmijët e tyre sot kanë kaluar vetëm nga ana tjetër e Pazarit të Ri për ta bërë me 1 turn, duke qenë se shkolla e re është 3 herë më e madhe se “Hasan Tahsini” që kishim, është ndërtuar komplet nga themelet”, tha Veliaj .

 Kreu i Bashkisë siguroi se do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e 16 shkollave  të. “Sot është një ditë e veçantë, edhe për disa arsye të tjera, është rikthimi i Lindita Nikollës si Ministre e Arsimit, na ke munguar shumë këto muaj, por unë besoj se tani do rikuperojmë edhe kohën e kësaj mungese për të ecur më shpejt që përtej këtyre 4 shkollave, “Hasan Tahsin”, shkollës “Betim Muço”, që do ta hapim shumë shpejt në Kombinat, shkollën “Ardian Klosi” tek Bregu i Lumit dhe Shkolla e re e Baletit, ne të fillojmë edhe 16 shkolla të tjera për t’u siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Veliaj theksoi se do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve. “Ne do bëjmë gjithçka që kemi në dorë për infrastrukturën. Para pak ditësh u hap Unaza e Re, e cila ka ndihmuar shumë trafikun në atë zonë të Tiranës. Sot kemi pasur Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake që ka ndihmuar në çdo kryqëzim, për të treguar pak mirëkuptim në një qytet që është  i tejngarkuar, që ka shumë trafik, por për të respektuar radhën e gjërave”, u shpreh ai. 

 Deputetja Lindita Nikolla përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën e palodhur për transformimin e  Tiranës dhe të përmirësimit të infrastrukturës arsimore. Nikolla u shpreh se Veliaj është në avangard të ndryshimit, falë punës plot pasion dhe energjive që nuk shterojnë kurrë për të bërë më të mirën për qytetin. “Unë sot jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk na duhen ofiqe për t’i thënë një falenderim të madh Erion Velisë dhe gjithë stafit të tij. Ju lumtë dora dhe mendja për gjithçka që po bëni për Tiranën dhe posaçërisht për arsimin. Më lejoni t’ju falenderoj nga rasti për t’ju thënë një vit të mbarë plot suksese dhe rrugëtim me standard të reja të cilësisë të gjithë fëmijëve që sot nisin sot shkollën.  Si ka mundësi nga doli gjithë ky territor dhe si mundet që forca e njeriut të bëjë çudira, jo vetëm duke zmadhuar, por duke mundësuar kantinën për ushqimin, duke mundësuar sallën e aktiviteteve të përbashkëta me prindër, duke mundësuar palestra, por dhe këtë terren sportive. Edhe njëherë bravo Erion Veliaj. Bravo që je në avangard të ndryshimit, je në avangard falë punës plot pasion dhe energjive që nuk shterojnë kurrë për të bërë më të mirën për qytetin tonë”, theksoi Lindita Nikolla.

Shkolla e re ka 22 klasa mësimi, 2 klasa parashkollore, 6 laboratorë, palestër moderne si dhe një terren sportiv të jashtëm. Godina është e pajisur me sistemin e ngrohjes qëndrore me pelet.