Tashme është zyrtare! Komisioni Evropian u rekomandon vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të çelin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Por Shqipëria duhet të zbatojë reformën në drejtësi dhe në mënyrë të veçante ligjin e Vetting-ut.

Komisioneri i BE, Johannes Hahn:

Shqipëria ka bërë progres vendimtar në axhedën e reformës. Dhe në dritën e kësaj KE rekomandon çeljen e negociove, ne vartësi të rezultateve të prekshme dhe të realizimit të reformave. Kusht reforma në drejtësi.

Në 5 prioritet që Bashkimi Evropian i ka vendosur vendit tonë vlerësohet se ka patur ecuri pozitive për përmbushjen e tyre. Por për luftën ndaj korrupsionit kërkohet edhe më shumë punë në mënyrë të veçantë korrupsionin në nivelet e larta te zyrtarëve.

Për administratën publike vlerësohet se ka më shumë transparencë në procedurat e rekrutimit dhe në implementimin e reformës. Por kërkohet me shume progres në konsolidimin e arritjeve, depolitizimin dhe profesionalizimin e administratës.

Për sistemin e drejtësisë vlerësohet miratimi i reformës dhe avancimi me ligjin e vetting-ut. Por kërkohet me shume progres për zbatimin e legjislacionit dhe thuhet se administrata gjyqësore vazhdon të jetë e ngadaltë, jo efiçente, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në këtë sektor.

Për luftën kundër e korrupsionit në raport thuhet se është bërë progres, por kërkohet më shumë në krijimin e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve, të ndjekjeve penale dhe dënimeve.

Po ashtu kërkohet më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz.

Raporti vlerëson arritjet në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë progres në mënyrë të veçantë në identifikimin dhe asgjësimin e plantacioneve me kanabis.

Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është intensifikuar, veçanërisht me EUROPOL, thuhet me tej ne raport.

Nënvizohet se bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet të forcohet për të shkatërruar rrjetet kriminale me efikasitet. Numri i dënimeve në rastet e krimit te organizuar është ende i ulët, me një rritje të lehte vitet e fundit.

Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut vlerësohet se Shqipëria është gjerësisht në përputhje me standardet evropiane.

Në 90 faqet e raportit të progresit ku janë trajtuar 45 çështje, 40 prej tyre vlerësohet se ka patur ecuri pozitive, ndërsa liria e fjalës dhe prokurimet publike kanë mbetur në të njëjtat nivele me të cilat janë vlerësuar edhe vitin e shkuar.

Rekomandimi i Komisionit do të duhet të shqyrtohet në dhjetor në mbledhjen e ministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, te cilët do të vendosin mbi kërkesën për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë./ TV KLAN