Ramush Haradinaj mund të jetë kryeministri i ri i Kosovës. Emri i tij, u propozua nga koalicioni parazgjedhor i formuar mes partive Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma, i zyrtarizuar mbrëmjen e kaluar.

Koalicioni i këtyre tri partive u regjistrua mesnatën e kaluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pak përpara përfundimit të afatit zyrtar.

I ftuar në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Televizionin Klan, Haradinaj ndër të tjera foli edhe për zgjedhjet e parakohshme, ku konfirmoi ambiciet për të qenë kryeministër i Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkroi marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor me Aleancen Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe me nismën e regjistruar si Alternativa të Mimoza Kusari-Lila.

Partia e vetme, e cila ka vendosur të hyjë e vetme në garë është Lëvizja Vetëvendosje!.

Ne zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 Qershorit do të garojnë 56 subjekte politike nga të cilat 28 janë shqiptare dhe të tjerat nga komunitetet pakicë./Tv Klan