Ramush Haradinaj mori zyrtarisht detyrën si kryeministri i Kosovës. Në një ceremoni të posaçme, detyrën ia dorëzoi ish-kryeministrit, Isa Mustafa.

Një nder çështjet më të nxehta me të cilat do të përballet qeveria Haradinaj është demarkacioni me Malin e Zi. Në një interviste për Zërin e Amerikës ai e quajti atë të gabuar.

“Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër. Marrëveshja për mua ka gabime, pra për mua, besoj që këto gabime do t’i identifikojmë, me siguri do të kemi edhe ekspertizë të re, pra ekspertë tjerë nga ata që kanë punuar në të kaluarën nga zoti (Murat) Meha dhe të tjerë dhe ata gjejnë të vërtetën, pra marrëveshja ka gabime.”

Edhe për Brukselin, ndarja e kufirit me Malin e Zi ka rëndësi të veçantë. E përmendi këtë në një konferencë për shtyp zëdhënësja Maja Kocijancic.

“KE-ja mirëpret formimin e qeverisë së re të Kosovës.Ne presim nga qeveria e re që të përqëndrohet në zbatimin e reformave urgjente të shtetit ligjor dhe ato ekonomike, duke përfshirë edhe aprovimin e legjislacionit. Eshtë po ashtu esenciale të përmbushen kushtet pêr liberalizimin e vizave, duke ecur veçanërisht përpara me ratifikimin e marrëveshjes sê demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Qeveria e re duhet të luajë gjithashtu një rol kosntruktiv në rajon dhe të sigurojë që të hidhet një hap cilësor në vijimin e dialogut Prishtinë- Beograd”.

Edhe marrëdhëniet me serbet e veriut janë në fokus të qeverisë së re. Ramush Haradinaj thotë se bashkëpunimi qeverisës me Listën Serbe duhet shfrytëzuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira me ta./Tv Klan