Me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj është paraqitur në interpelancë në Kuvend për të informuar deputetët rreth akuzave publike të shfaqura nga disa banorë të lagjes Dardania në Prishtinë ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Ai vjen nga Lista Serbe, si pjesë përbërëse e koalicionit aktual qeverisës.

Ministri Rikalo, sipas deklaratave të këtyre qytetarëve të publikuara në mediat lokale, akuzohet për sjelljet e tij abuzuese ndaj fqinjëve gjatë periudhës së vitit 1999. Ai, sipas këtyre banorëve, ishte përfshirë në disa raste të keqtrajtimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sqaruar para deputetëve në Kuvend se kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër, por sipas tij, nuk ka asnjë informatë se i njëjti ka qenë i përfshirë në rate të tilla.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti kërkoi nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e ministrit Rikalo. Ai tha se seanca është thirrur si mundësi që Haradinaj të japë sqarime rreth këtyre akuzave publike. Dyshimet e qytetarëve, nënvizoi ai, duhet të trajtohen drejt.

Andaj, LDK, theksoi Hoti, kërkon shkarkimin e Rikalos dhe vazhdimin e hetimeve ligjore ndaj tij.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj tha se nga momenti kur i ka dëgjuar akuzat e qytetarëve ai ka kërkuar sqarime nga institucionet kompetente.

Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë e Ministrisë se Punëve të Brendshme është përgjigjur; nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të Policisë së Kosovës. Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kam marrë ketë përgjigje; në lidhje me kërkesën e parashtruar, ju informojmë se në databazën e PSRK nuk evidentohet asnjë shënim apo rast që ka të bëjë me informacione që po qarkullojnë për personin Nenad Rikalo. Edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në Prokurorin e Shtetit për veprën e dyshuar krime lufte të raportuar në media për personin Nenad Rikalo

“, tha Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nuk ka asnjë dëshmi që Nenad Rikalo ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më herët edhe vet ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, anëtar i Listës Serbe i ka cilësuar fushata të rrejshme raportimet për të dhe konstatimet se ai ka keqtrajtuar fqinjët shqiptarë në lagjen Dardania të Prishtinës, gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Përmes një deklarate me shkrim, ai ka theksuar se të gjitha këto, janë informata të pasakta./REL