Ramush Haradinaj mori vendimin e parë si kryeministër i Kosovës, shkarkoi Komisionin shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, i njohur ndryshe si Komisioni shtetëror për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Meqë komisionit i ka skaduar mandati, unë i propozoj qeverisë shkarkimin e këtij komisioni”.

Haradinaj Haradinaj ka kundërshtuar nga fillimi Demarkacionin me Malin e Zi, prej të cilit siç thotë ai, Kosova po humb territorin. Ai e kishte paraprirë vendimin për rishikimin e Demarkacionit.

Ramush Haradinaj  

Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër. Marrëveshja për mua ka gabime, pra për mua, besoj që këto gabime do t’i identifikojmë, me siguri do të kemi edhe ekspertizë të re, pra ekspertë tjerë nga ata që kanë punuar në të kaluarën nga zoti (Murat) Meha dhe të tjerë dhe ata gjejnë të vërtetën, pra marrëveshja ka gabime.

Takimet e para të kryeministrit Haradinaj ishin me ambasadorin amerikan në Prishtin Greg Delaui dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë Natalia Apostolova. Brukseli reagoi më herët me anë të zëdhënëses Koçijançiç, duke përshëndetur krijimin e kabinetit qeveritar, por pa harruar të përmendë përparësitë që ka Kosova, përfshirë edhe Demarkacionin.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE-së

“KE-ja mirëpret formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ne presim nga qeveria e re që të përqendrohet në zbatimin e reformave urgjente të shtetit ligjor dhe ato ekonomike, duke përfshirë edhe aprovimin e legjislacionit. Është po ashtu esenciale të përmbushen kushtet për liberalizimin e vizave, duke ecur veçanërisht përpara me ratifikimin e marrëveshjes sê demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Qeveria e re duhet të luajë gjithashtu një rol konstruktiv në rajon dhe të sigurojë që të hidhet një hap cilësor në vijimin e dialogut Prishtinë- Beograd”.

Edhe marrëdhëniet me serbët e veriut janë në fokus të qeverisë së re. Për Ramush Haradinajn, bashkëpunimi qeverisës me Listën Serbe duhet shfrytëzuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira me ta.

Tv Klan