Dy anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri dhe Edit Harxhi dorëzuan në zyrën e Lulzim Bashës propozimet e tyre për ndryshime në statut të cilat prekin në nivel organizativ strukturat e kësaj force politike.

Edit Harxhi:

“Kufizojnë disa nga të drejtat e kryetarit, disa nga të drejtat që ka Kryesia aktualisht, i japin më tepër fuqi forumeve, të cilat janë forume të zgjedhura siç është Këshilli Kombëtar dhe Kuvendi Kombëtar që është dhe forumi më i lartë i PD”.

Edvin Kulluri:

“Duam ta largojmë partinë nga praktikat e mbyllura për ta çuar drejt një partie të hapur. Kushdo demokrat të ndihet pjesë e partisë, pjesë e vendimmarrjes, të respektohet, të dëgjohet”.

Por ky dokument që mban vetëm firmën e Harxhit e Kullurit nuk shihet nga ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili është pjesë e Lëvizjes për ringritjen e Partisë Demokratike, si mekanizmi i duhur për reformimin e kësaj force politike.

Astrit Patozi:

“Unë nuk kam besuar për asnjë sekondë se dështimet e Lulzim Bashës erdhën për shkak të dobësive të statutit, ndaj edhe asgjë nuk mund të riparohet përmes ndryshimeve të tij. Platforma jonë e kërkon ndryshimin pozitiv dhe ringritjen tani, kurse ndryshimet e mundshme statutore e shtyjnë atë pas 4 vjetësh dhe e lënë në vullnetin e Lulzim Bashës prapë, nëse do t’i kthehet zakonit të vjetër si në marrëveshjen e 18 majit apo jo”.

Patozi thotë se problemet dhe humbjet e Partisë Demokratike, janë krijuar për shkak të një vullneti të mbrapshtë politik, nga ku sipas tij aty duhet gjetur zgjidhja.

Tv Klan