Javën e kaluar, një person humbi sërish jetën në shinat e trenit në linjës Tiranë – Durrës.

Emisioni ”STOP” i rikthehet problematikës së ngritur në fund të muajit Maj, për mungesën e sinjalistikës në zonat ku kalon hekurudha.

3 muaj më pas, në Domje mungon sinjalistika edhe pse në emisionin “STOP” u deklarua se do të ndërhyhej. Gazetarja e emisionit ritakon Drejtorin e Urbanistikës në Bashkinë e Vorës, Luan Beta, i cili ia atribuon zgjidhjen Drejtorisë së Hekurudhës.

Ndërsa kjo e fundit jo zyrtarisht shprehet se problematika do të ketë marrë zgjidhje brenda 10 Shtatorit. Disa ditë pas këtij afati, gjendja është në pikën fillestare.

Emisioni “STOP” risjell sërish pas 3 muajsh problematikën e segmentit hekurudhor të Domjes. Por edhe pse Njësia Administrative e Vorës dhe Hekurudha Shqiptare premtuan vendosjen e sinjalistikës për të shmangur aksidentet e mundshme, situata ka mbetur po e njëjtë.

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikon me Drejtorin e Urbanistikës në Bashkinë Vorë, Luan Beta.  

Gazetarja – Ju na thatë që do të koordinoheni me hekurudhën dhe do të vendosim sinjalistikën.

Drejtori – 

Ato…sinjalistikën e vendosin ato, traun e vendosin ato, rojen e kanë ato.

Gazetarja – Ju i keni bërë një shkresë gjatë kësaj kohe?

Drejtori

Jo!

Gazetarja – Ti si njësi administrative, përcille si shqetësim! Unë këtë po të them domethënë, sepse ka tre muaj.

Më pas gazetarja i drejtohet Hekurudhës Shqiptare, ku e vetmja që mundi ta priste ishte sekretarja.

Sekretarja

Këto për emisionin “Stop”, për atë…

Gazetarja – Segmentin e Domjes.

Sekretarja – 

O Dashi, mund të flasësh apo je i zënë? Mirë, presim investimet nga Kryeministria, thotë … të hapen … janë bllokuar të gjitha investimet, thotë. Po, po, po! Mirupafshim!

Sekretarja- 

Ky është nëndrejtori, por jam rrugës thotë, po iki me shërbim thotë. Janë bllokuar të gjitha investimet nga Kryeministria, presim thotë, të hapen investimet.

Ndaj u detyrua të lidhet nëpërmjet telefonit me Drejtorin e Infrastrukturës së Hekurudhës Shqiptare.

Drejtori- 

Po!

Gazetarja – Interesohem për një problematikë që e kemi trajtuar para 3 muajsh, më datë 31 Maj, lidhur me segmentin hekurudhor “Domje”. Aty mungon sinjalistika.

Drejtori- 

Është administratori i Shoqërisë, vetëm ai kthen përgjigje zyrtare. Nuk e kam për t’ju shmangur pyetjes, më kuptoni edhe një herë dhe nuk më latë t’ju…, po nuk është fare. Unë zbatoj vetëm porositë dhe urdhrat e administratorit. Megjithatë, ka dalë fituesi, edhe fituesi ka filluar procedurat: do të prejë atë.. kabinën, krahët e kalesës… Këtë ta kesh siguro! Pra ta thashë “jo zyrtare”.

Gazetarja – Kur mund të fillojnë punimet?

Drejtori- 

Të paktën, 10 ditëshi i parë, të paktën! Ndoshta, 10 ditëshi i parë! Mund të jetë një ditë më shumë, një ditë më pak. Afatin fiks e ka administratori.

Por emisioni “STOP” është rikthyer në Domje disa ditë pas afatit të vendosur nga Drejtori i Infrastrukturës për të gjetur sërish vetëm shinat e trenit. Asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për të marrë masa për të vendosur sinjalistikën dhe trarët e nevojshëm për të parandaluar aksidentet në këtë aks rrugor./tvklan.al