Ekspertët e Mjekësisë Ligjore thonë se do të duhet disa ditë kohë që të përcaktohet shkaku i helmimit të 140 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës së Partisë Demokratike, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia ka referuar materialet në prokurori për akuzën e ndotjes së mjedisit, përmes çlirimit të gazrave dhe lëndëve të tjera toksike. Paraprakisht dyshohet se prozhektorët e ndriçimit mund të kenë çliruar lëndë, të cilat kanë ndikuar tek pjesëmarrësit dhe vetë kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Për këtë arsye është bërë sekuestrimi i këtyre pajisjeve. Por përfaqësuesit e firmës pretendojnë se atë ditë kanë bërë edhe dy mitingje të tjera, me të njëjtët prozhektorë.

Ekspertët e policisë sqarojnë se në mitingun e PD janë ndërruar llampat dhe ky veprim mund të ketë përhapur në ambientin përreth lëndë të cilat kanë ndikuar te pjesëmarrësit. Nuk përjashtohet mundësia e një akti të qëllimshëm, por kjo pistë është duke u verifikuar.

Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bulevard, xhirimet e bëra nga kamerat dhe dronët që kanë qenë të ngritur atë ditë. Grupi hetimor është duke këqyrur disa orë material filmik, për të parë nëse mund të jenë të vlefshme për hetimin.

Në hetim është përfshirë edhe Ushtria, ekspertët kimikë të së cilës kanë mbledhur kampione në bulevard dhe rrobat e personave të helmuar, për t’i ekzaminuar në laborator.

Tv Klan