Në mesnatë hyri në fuqi heshtja zgjedhore pas fushatës dyjavore të partive politike për raundin e dytë të zgjedhjeve vendore që mbahen më 29 tetor.

Partitë politike dhe analistët politik nuk presin ndryshime të mëdha, pasi që LSDM është fituese e këtyre zgjedhjeve, duke sfiduar edhe në Qytetin e Shkupit që në raundin e parë, ndërsa VMRO-DPMNE pësoi humbje të thellë.

Nga kampi politik shqiptar, raundi i dytë është vendimtar, pasi që shumica prej 16 komunave janë në lojë. BDI e vetmja në raundin e parë siguroi fitore vetëm në dy komuna.

Në balotazh do të votohet në 35 komuna, LSDM dhe VMRO-DPMNE  do të garojnë në 20 komuna, ndërsa partitë shqiptare do të garojnë në 15 komuna.

Analisti politik Naser Ziberi thotë se nuk do të ketë ndryshime të mëdha tek kampi politik maqedonas, pasi që sipas tij, shumicën e komunave sërish pritet ta fitojë LSDM. Ndërsa sipas tij, më interesant do të jetë në komunat e banuara me shqiptarë.

 “Në kampin maqedonas fitorja në raundin e pare do të ketë ndikim në balotazh dhe LSDM do të fitojë edhe disa komuna tjera, ndërsa më interesante gara do të jetë tek partitë shqiptare, pasi që në disa komuna kemi gati balancim të forcave, pas koalicionit të arritur midis partive më të mëdha shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA kundër BDI-së, e cila e ka përkrahjen e LSDM”, theksoi Ziberi.

Sipas tij, nëse blloku opozitar shqiptar fiton më shumë komuna, atëherë ato do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në raundin e parë nga 45 komuna, 38 i fitoi LSDM, VMRO-DPMNE 3 komuna, BDI 2 dhe komunat e tjera kandidatë të pavarur. Këto janë zgjedhjet e gjashta vendore që zhvillohen në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë. (INA)