Vrasja e biznesmenit Mirvjen Hyseni dhe Drejtorit te OSHEE-së së Vlorës, Roland Saliu, ka bërë që policia të shtrije hetimet jashtë vendit.

Burime të Policisë se Shtetit, thanë për Tv Klan, se hetuesit po verifikojnë destinacionet e muajve të fundit të Hysenit në Itali, apo vende të tjera të BE-së.

Aktualisht janë dokumentuar të gjitha hyrje – daljet në sistemin tims.

Të njëjtat burime thanë se po shtrijnë hetimet edhe në të kaluarën e biznesmenit si dhe problemeve që ai ka pasur në Spanjë apo vende të tjera.

Por specialistët e krimeve të policisë së Vlorës, nuk kanë lënë jashtë vëmendjes së tyre edhe probleme apo konflikte që vetë Hyseni mund të ketë pasur në Shqipëri.

Të gjitha informacionet e mbledhura që prej ditës së atentatit të dyfishtë, pritet të analizohen gjatë të hënës. Grupi hetimor i kësaj çështjeje, pritet të raportojë në lidhje me veprimet hetimore përpara Prokurorit të rrethit dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut, Gentian Shehaj.

Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe të dhënave, pritet që ata të orientojnë hetimin e çështjes në ditët në vijim./ TV KLAN