6 kilogram heroinë të kapura dy ditë më parë nga policia italiane në portin e Barit, ndërsa transportoheshin nga një shqiptar me inicialet A. T., kanë nxitur hetime në të dyja palët.

Burime pranë grupit hetimor thanë se automjeti është skanuar në dalje nga porti i Durrësit, por nuk lënda narkotike nuk është mundur të zbulohet. Një fakt i tillë është pohuar për Televizionin Klan nga burime të Policisë së Shtetit.

Në lidhje me rastin autoritetet policore shqiptare dhe prokuroria pritet të komunikojnë me kolegët e tyre italianë për të sqaruar rrethanat e kalimit të lëndës narkotike nga Shqipëria nëpërmjet portit të vendit tonë. Gjatë intervistimit, i arrestuari iu ka pohuar hetuesve të policisë italiane se e kishte siguruar drogën në qytetin e Elbasanit, ndërsa nuk jepen detaje të mëtejshme në lidhje me hetimin.

Sasia e mësipërme e lëndës narkotike është e para që kapet nga policia italiane, pas arrestimeve të kryera nga prokuroria shqiptare në portin e Durrësit.

Këto arrestime u kryen pas konfirmimit të faktit se nga porti i Durrësit kaloi një kamion me 8 tonë drogë që vinte nga Shqipëria.

Tv Klan