Prokurorisë për Krime të Rënda iu deshën dy vjet hetime dhe bashkëpunim me autoritetet italiane për të arrestuar 4 persona të tjerë të cilët akuzohen se trafikonin kanabis drejt vendit fqinj nëpërmjet Lagunës se Vilunit në Lezhë. Pesë ditë më parë u arrestuan Andrea Caushi, Andi Mita, Kasëm Piluri dhe Altin Rramolli.

Sipas hetimeve Andrea Caushi ishte personi që siguronte lëndën narkotike kryesisht në zonën e Tepelenës dhe Vlorës. Me pjesën tjetër të punës merrej Bardhok Pllanaj i cilësuar si një nga personat më të rëndësishëm të këtij rrjeti ende në kërkim.

Sipas dosjes së prokurorëve është faktuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin përgatitur trafikimin drejt Siçilisë të rreth 3.5 tonë kanabis. Kjo u kap nga policia italiane në prill të 2014. Droga u gjet në dy peshkarexha që drejtoheshin nga shtetas italianë. Tv Klan mëson se lënda narkotike shkonte për familje mafioze në zonën e Katanias.

Sipas prokurorëve italianë ata janë vëllezërit Morabito, që zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes Picanello, familja Nizza e cila zhvillonte aktivitetin në lagjen Libriono dhe Lorenzo Saita, i quajtur “Skeleti”. Të gjithë kishin furnizues grupin nga Shqipëria nga i cili u arrestuan 7 persona që në vitin 2014.

Tv Klan