Prokuroria e Tiranës ka bllokuar 600 mijë eurot e para për llogari të hetimit që po kryhen për pastrim parash ndaj administratorit të kompanisë “Everest Oil”, Gjergj Bojaxhi.

Me urdhër të këtij institucioni të gjitha llogaritë e personave dhe kompanive që janë pjesë e këtij hetimi janë në mbikqyrje dhe çdo lëvizje verifikohet.

Burime nga akuza e kryeqytetit konfirmojnë se paratë e bllokuara ishin në emër të djalit të ish-biznesmenit të naftës dhe ish-pronarit të kompanisë ARMO, Rezart Taçi. Të njëjtat burime saktësojnë se paratë do të lëvizeshin nga bashkëshortja e Taçit, por bankat kanë sinjalizuar prokurorinë, e cila ka kërkuar bllokimin deri në verifikimin e burimit të tyre.

Sipas materialit të referuar nga policia në prokurori, në qendër të skemës së mashtrimit pas të cilës dyshohet se qëndron Gjergj Bojaxhi është kompania ARMO.

Themelimi i kompanisë së Bojaxhiut “Everest Oil” korrespondon me periudhën e artë të Rezart Taçit në tregtimin e karburanteve në Shqipëri, viti 2012. Nga 2012 deri në 2015 kompania e Bojaxhiut ka transferuar rreth 170 milion dollarë në total.

Në sitën e hetuesve është dhe financimi i fushatës së Bojaxhiut për kryetar bashkie të Tiranës, në vitin 2015. Në listën e financuesve është edhe Misela Dervishi, personi i deleguar prej tij për të kryer transferta bankare për llogari të kompanisë “Everest Oil”.

Tv Klan